Ish-drejtorit të Aluiznit në qeverinë Berisha iu sekuestruan 1.5 milionë euro në bankë, ndërsa sot Ferdinand Shehu ka kërkuar me ngulm kthimin e tyre.

Seanca gjyqësore e planifikuar për sot ka dështuar për shkak se prokuroria ndodhet me pushime. Tani beteja ligjore për heqjen e sekuestros do të zhvillohet në muajin shtator.

Ish-drejtori, Ferdinand Shehu i pranishëm në gjykatë tha se paratë e sekuestruara nuk janë të paligjshme.

“Paratë e mia s’janë të paligjshme. Sekuestroja u vendos 10 ditë më parë me vendim të prokurorisë së Tiranës”, tha ish-drejtori i Aluiznit.

Shehu kohët e fundit, nëpërmjet një banke private ka tentuar transferimin e 1 milion eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.

Por pas dyshimeve se shuma është përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria  për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin  për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar "Investimi" duke i bllokuar.