Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar lëvizjet e plota të autorëve që pak pas mesnatës së djeshme sulmuan godinën e Top Channel, duke i marrë jetë rojes Pal Kola.

I ftuar në emisionin “Zona Zero”, Hoxha zbuloi se atentati i mbrëmshëm ka ngjashmëri me sulmin e ndodhur disa javë më parë në “Don Bosko”, ku persona ende të paidentifikuar sulmuan me breshëri plumbash lokalin e Fatjon Muratit.

Ai shtoi se arrestimi i dy personave që po udhëtonin drejt Vlorës pak pas ngjarjes mund të ketë lidhje me këtë sulm.

“Kjo ngjarje është e ngjashme me atentatin e “Don Bosko”. Aty autorët kaluan para lokalit, u kthyen sërish dhe brenda 20 sekondash e realizuan sulmin. Në të njëjtën skemë, dje besoj u janë dashur më pak kohë.

Ndalimi i dy personave mbrëmë, që po udhëtonin drejt Vlorë, uroj që të jetë një mundësi për të hedhur dritë, por në raste të tilla rastësia është shumë e rrallë.

Më shumë se këto mesazhet, qytetarët nuk i ngroh dot ky mesazh. Ata që kanë qenë duke parë “Big brother “ dje e kanë plagën më të rëndë.”- tha Hoxha.