Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj ka reaguar pas djegies së automjetit të tij gjatës mesnatës. Frrokaj dyshon se djegia e automjetit ka qenë e qëllimshme.
Gjithashtu ai sqaron se mjeti nuk ishte në pronësi të tij, por i bashkisë, dhe ai thjesht e kishte në përdorim.
“Mjeti ka qenë i fikur, nuk besoj se ka pasur defekt. Besoj se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme. Mjeti përdorej nga unë, por është i bashkisë,” mësohet të ketë thënë Frrokaj në polici.
Ngjarja
Policia njofton se rreth orës 00:45, në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “Besëlidhja” Lezhë, në parkingun e një pallati po digjen dy automjete.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses të cilët kanë ndërhyrë menjëherë duke fikur zjarrin.
Nga veprimet e para hetimore, rezulton se janë përfshirë nga flakët dy automjete të parkuara afër njëra – tjetrës, dhe konkretisht:
Automjeti “Mercedes Fuoristradë ML” me targë AA 400 JK në pronësi të shtetases Sh.P. dhe në përdorim nga shtetasi F.F., si dhe mjeti “Mercedes Benz” me targë LE 7495 E në pronësi të shtetasit K.Ll.
Grupi hetimor po vijon kryerjen e veprimeve në vendngjarje.
Janë marrë disa deklarime si dhe po bëhet këqyrja e kamerave përgjatë rrugës dhe në afërsi të vendit të ngjarjes me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.





