Policia ka lënë të lirë drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, pasi nga hetimet paraprake nuk ka dyshimet se ai ka lidhje me dy magazinat me katër mijë rrënjë kanabis që u zbuluan në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, në Peqin.

Kujtojmë se Hasa u vetëdorëzua në polici pasditen e djeshme, 19 mars, ku deklaroi se nuk kishte lidhje me lëndën narkotike të konstatuar në dy ambiente në banesën në pronësi të tij.

Hasa ka hedhur poshtë pretendimet se droga i përket atij, ndërsa ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se po hetohet edhe pista që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në objekt mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në fshat dhe tashmë është shpallur në kërkim.