Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë ditës së sotme ka vizituar brezin kufitar në veri të vendit, disa orë pasi Serbia i refuzoi lejen për një vizitë në Luginën e Preshevës.
“Bashkë me ministrin Elbert Krasniqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha dhe Drejtorin e Departamentit të Kufirit Fehmi Xhata, sot kemi vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë asetit tonë, Liqenit të Ujmanit.
Policia jonë në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbron kufijtë tanë dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë.
Kjo pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme të grupeve kriminale e terroriste të Serbisë, të cilat janë bërë 115 sosh vetëm në veriun e vendit tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai tutje theksoi se bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduan për nevojën e avancimit të kapaciteteve në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar.
“Mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë”, ka shtuar Sveçla.
Ai për sot kishte aranzhuar një vizitë në Luginën e Preshevës me ftesë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, por vizita e tij u pamundësua nga autoritetet e Beogradit, të cilat refuzuan t’i japin leje për një vizitë të tillë.