Drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa i cili u shpall në kërkim pas zbulimit të një shtëpie bari në ambientet e banesës së tij është vetëdorëzuar në polici.

Ndërkohë, vijon te jetë në kërkim Ervis Maci, përgjegjës i OSHEE për Peqinin i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Ambienti ku kultivohej kanabis me llamba u zbulua në sajë të një operacioni të policisë së Elbasanit  të enjten.

“Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabis.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, i cili u shpall në kërkim.

Në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit”, bëri me dije policia.