Mark Iuliano shkarkohet zyrtarisht nga drejtuesit e klubit të Partizanit. Vendin e tij në krye të pankinës së "demave" do e marrë Sulejman Starova, që rikthehet sërish si trajner i ekipit të Partizanit.

Ky vendim është marrë mesditën e sotme nga klubi i kuq, pas rezultateve aspak pozitive të ekipit në nëntë javët e para të kampionatit nën drejtimin e trajnerit Mark Iuliano.

Me anë të një njoftimi zyrtar ekipi i Partizanit ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me trajnerin Italian.

"Klubi Partizani komunikon se ka ndërprerë me marrëveshje, bashkëpunimin me trajnerin Mark Iuliano dhe zv. trajnerin Alexandro Dossena.Sulejman Starova do të jetë trajneri i ri në vijim të këtij sezoni futbollistik, duke filluar nga e marta e 7 Nëntorit , ditë kur skuadra në orën 11:30 do të rinisë përgatitjet. Klubi falenderon trajnerët Mark Iuliano dhe Alexandro Dossena për punën e zhvilluar deri tani në skuadër, duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierë."-thuhet në njoftimin e klubit të kuq.