TIRANE – Gazetarja e fushës së spektakleve, Iva Tiço, në një shkrim të botuar sot në të përditshmen “Mapo”, kritikon Alketa Vejsiun për intervistën e realizuar me këngëtaren e mirënjohur Vaçe Zela. Dy personazhet e njohura të ekranit, kanë ofenduar njëra-tjetrën për “paaftësi” dhe “mediokritet” në punën e tyre.

Toçi shkruan se, “sikur Vaçe Zelën ta kishte intervistuar një gazetar, ne do kishim sot një intervistë të këngëtares së madhe, të fundit dhe ndoshta të vetmen prej saj”. “Por në fakt këtë intervistë nuk e kemi”, shton ajo.

Bëhet fjalë për një intervistë që Vejsiu e ka realizuar në vitin 2005, ku ajo drejtonte emisionin “100 këngët e shekullit” në TV Klan, e cila është ritransmetuar dy ditë më parë.

Tiço në fakt nuk kritikon vetëm në emër të saj por kritikanë më të fortë e kthen në ligjëratë të zhdrejtë. “Mbaj mend diskutimin të nesërmen mes kolegësh, të zhgënjyer nga boshi i asaj interviste: “nuk gjendej dot një gazetare që ta bënte atë punë, por duhej ta bënte Alketa?! Ose nëse në kamera dilte Alketa, nuk mund t’ia bënte një gazetar pyetjet dhe më pas montazhin e dokumentarit. Një gazetar, që më tepër sesa për lotin që pikonte dhe falënderimet patetike të merrej me brendinë e intervistës?!”

Në fund Tiço shprehet se, “nuk është vetëm problemi i Alketës ky. Sepse ajo është një nga të shumtat “ikona” të  televizioneve të sotme, ku bërja e një interviste është gjëja më e thjeshtë në botë. Është një nga të shumtat për të cilat problemi kryesor është gjetja e dikujt, e një personazhi, për ta vënë përballë, për ta “intervistuar” dhe pastaj gjetja e veshjes dhe kombinimi i saj me krehjen. Duke harruar qëllimin kryesor të intervistës: pyetjet. Pra, fjalën. Të fundit në listën e gjërave të rëndësishme për Alketën dhe të ngjashmet e veta”.

Alketa Vejsiu i është kundërpërgjigur me një shkrim të postuar në Facebook. Ajo shprehet se Tiço, “i jep vetes rëndësinë që nuk ka”.

“Ka të drejtë të gjykojë gjithkënd për gjithçka. Do ta vlerësoja shumë nëse do të ishte kritike konstruktive, por çt’i bësh që vërtitet rreth të njëjtës temë. Alketa bën gazetaren e dështuar, Alketa s’pranon skenarët e askujt, Alketa dështon me “X Factor”, madje Alketa pret fëmijën e tretë, etj etj… por që do hidhte balte dhe mbi një intervistë me Vaçe Zelën që unë pata privilegjin ta takoja 19 vjeç, kur drejtoja “Këngën e Shekullit”, këtë s'ma kish marrë mendja”.

Vejsiu thotë se e ka takuar Zelën në një gjendje shëndetësore jo të mirë dhe kjo sipas saj nuk e ndihmonte aspak zhvillimin e bisedës gazetareske që pretendon Tiço dhe i kundërpërgjigjet:

“Iva shiko të besh mirë punën tënde, se je shumë mediokre në shkrimet që realizon. Unë në sektorin e Entertainment s’ka nevojë të bëj gazetaren, roli im është të argëtoj njerëzit. Gazetarinë, edhe pse s’kam bërë shkollë gazetarie do të ta tregoj kur të botoj revistën time”.

Vejsiu e mbyll kundërpërgjigjen me një këshillë në anglisht, "What comes around goes around", që në shqip do të thotë: Ç’të mbjellësh do të korrësh”. “Energjia negative që mbart do të të kthehet shumë keq ndonjëherë. Atëherë do kujtosh Alketen dhe teoritë e saj mbi energjinë Pozitive”.

                                                              Marrë nga  SHEKULLI