Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, refuzoi të dekretojë 11 ligje që janë miratuar me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Siç bënë të ditur shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme në ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, për shërbime në armatë, ligjin për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik e të tjera.
Ivanov, ligjet nuk i dekretoi me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka vepruar në bazë të betimit të dhënë se do të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.
Kuvendi bëri të ditur se kreu i shtetit nuk i ka dekretuar as ligjet që ishin miratuar me dy të tretat e votave, që kryesisht kanë të bëjë me reformat në gjyqësor, e që konsiderohen si kyçe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Ligjet janë miratuar pas 11 janarit, kur edhe ishin miratuar ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ivanov e ka kundërshtuar Marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit, të arritur më 17 qershor 2018, duke thënë se ajo nuk është në interesa të shtetit.
Ivanov edhe më parë ka refuzuar të dekretojë ligje, si atë për përdorimin e gjuhëve dhe ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Ai këtë e ka arsyetuar me vlerësimin se “ligjet bien ndesh me Kushtetutën dhe rrezikojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase”./REL