Filip Ivanoviç, një nga emrat kryesorë të prapavijës së Teutës, ka shënuar golin e barazimit në minutën e fundit në sfidën me Vllazninë. Mbrojtësi thotë se goli erdhi si pasojë e punës në grup. Ai thotë se ndonëse skuadra është shumë larg pritshmërive që ai kishte kur erdhi në fillim, tashmë mbetet vetëm shpëtimi i sezonit.
Ai theksoi se Teuta nuk e ka komoditetin të humbasë mundësi të mira goli. Ivanoviç thotë se, siç u zhvillua ndeshja, duhet të jenë të kënaqur me një pikë.
Për mënyrën se si erdhi ndeshja, a jeni të kënaqur me një pikë?
Vllaznia është një ekip që unë e respektoj shumë. Shkodra është një qytet futbolli që ka mbështetje në çdo ndeshje. Pavarësisht se janë një kundërshtar shumë i mirë, ne kemi menduar vetëm për të fituar para ndeshjes.Për fat të keq, siç u zhvillua ndeshja, duhet të jemi të kënaqur me një pikë.
Çfarë duhet të bënte më shumë Teuta për ta fituar ndeshjen?
Kishim nja dy situata që nuk i shfrytëzuam. Në situata të tilla nuk kemi komoditetin të humbasim mundësi të mira goli, duhet të jemi edhe më të guximshëm dhe më të vendosur.
Jeni rikthyer si titullar dhe përveç formës së mirë keni shënuar edhe dy gola në pak javë…
Për mua është e rëndësishme të kontribuoj për ekipin, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Sa emocionuese është të shënosh një gol në minutën e 99-të?
Ka pasur shumë duele dhe lojë intensive. Nuk ishte e lehtë të gjykoje ndeshjen me Vllazninë. Ndodhi nja dy herë u fut VAR-i, kështu që loja zgjati shumë.Më vjen mirë që treguam karakter dhe luftuam deri në fund. Goli erdhi si shpërblim për punën në grup.
Në fundjavë përballeni me një ekip direkt si Dinamo. Si e shikoni këtë ndeshje?
Një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Deri në fund çdo ndeshje është si një finale, ndaj duhet të bëjmë maksimumin për një rezultat të mirë.
A do të ishte fitorja ndaj Dinamos një lloj qetësie për Teutën për t’u ngritur lart në renditje?
Ne kemi hyrë në fazën finale ku çdo pikë është e çmuar. Dinamo do të luftojë njësoj për sa kohë ka shanse për mbijetesë. E përsëris, do të bëjmë më të mirën.
Viti juaj i parë në Shqipëri duket se është pozitiv. Si e keni parë këtë kampionat?
Sinqerisht, nuk jam i kënaqur me sezonin. Erdha këtu për të ndihmuar ekipin të fitojë trofeun. Fatkeqësisht, futbolli ka treguar edhe një herë se në sportet ekipore, por pa shpirt ekipor dhe gjëra të tjera që i shoqërojnë të gjitha, nuk mund që arrish një rezultat të jashtëzakonshëm.