Ditëlindja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, 4 korriku, u kremtua gjatë mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Paris. Presidenti francez, François Hollande ka shtruar një darkë mikëpritje për të gjithë kryeministrat e Ballkanit, që ishin pjesë e samitit në Paris.
Në darkën solemne të Samitit, Ivica Daçiç, shef i diplomacisë serbe, i ka bërë një surprizë kryeministrit shqiptar, duke i kënduar një këngë, shkruajnë mediat kosovare, duke cituar ato serbe.
Sipas gazetës serbe “Kurir”, Hollande i ka kërkuar Daçiç që të këndojë një këngë për nder të ditëlindjes së Edi Ramës.
“Kurir” shkruan se “këngëtari ynë kryesor në skenën politike nuk e ka refuzuar kërkesën”. Mësohet se Daçiç i këndoi një këngën “O sole mio” si dhe “Santa Lucia”. Referuar detajeve të nënvizuar nga gazeta serbe, pak para se të niste këngën, ai ka pyetur: -“ Ku është orkestra?”
Pas kësaj performance, Hollande, Merkel dhe Mogherini e puthën dhe e përqafuan Daçiçin për atmosferën e bukur që krijoi.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ai i këndon, e aq më tepër kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Para dy vjetësh në Beograd, në samitin e Kinës dhe të 16 vendeve të Evropës Lindore e Qendrore, Edi Ramës i ishte kënduar nga i njëjti repertor, pikerisht kënga “O sole mio”.





