Izet Haxhia, i dënuar në mungesë me 25 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, ka dalë sërish sot përpara Gjykatës së Tiranës. Ish-truproja i Sali Berishës ka bërë një akuzë të fortë në drejtim të këtij të fundit, kur tha se ish-kryeministri ka paguar 1 milion euro për ta vrarë atë në Turqi, por ka mbetur një atentat i dështuar.

"Berisha pagoi 1 milion euro që të më hiqte qafe në Turqi, por nuk ia doli. Dosja "Azem Hajdari" është treguesi i qartë i futjes së duarve të krimit në drejtësi nga klanet e malësorëve të Tropojës dhe Skraparit. Të dënohem, por së pari të dëgjohem. Dua të pyes Sali Berishën për kalvarin e vrasjeve të nisura më 4 janar 1998… A ka lidhje dhëndri juaj me këtë?", tha Izet Haxhia përpara trupës gjykuese.

Ish-truproja i Sali Berishës kërkon rihapjen e dosjes. Gjykata e Tiranës pritet të vendosë sot për këtë kërkesë të Izet Haxhisë. Kjo është hera e tretë që Izet Haxhia del përpara një gjykate shqiptare, pas ekstradimit nga Turqia muajin e kaluar. 

Azem Hajdari u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit pranë selisë së PD-së, ndërsa autor i kësaj ngjarjeje u identifikua Fatmir Haklaj. Izet Haxhia u dënua në mungesë me 25 vite burg si bashkëpunëtor në të ashtuquajturën "vrasja e shekullit".