21 nëntor 2013- Pas tërheqjes nga asgjësimi i lëndëve kimike të Sirisë në Shqipëri, mazhoranca qeverisëse ka nisur aksionin e izolimit dhe të paketimit të lëndëve të rrezikshme në vend. Si për t’i çliruar nga pesha e fajit për helmin e Asadit, qeveria ka nisur aksionin kundër lëndëve kimike në vend. Kështu, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me OSBE, ka paketuar dhe izoluar rreth 100 ton kimikate të rrezikshme, për t’i transportuar më vonë jashtë vendit. Pikërisht, për këtë qëllim, në repartin ushtarak në Qafë-Mollë është zhvilluar një ceremoni me rastin e përfundimit me sukses të fazës së parë të projektit të ripaketimit të lëndëve kimike. Në këtë ceremoni ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, z. Florian Rauning, ambasadori i Republikës Çeke, z Bronislava Tomasova, ambasadori i Spanjës, z. Rafael Tormo Perez, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së CUBIC, si dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli në fjalën e saj, pasi ka falenderuar personelin që ka punuar për realizimin e këtij projekti, theksoi se, realizimi i projektit shënon një arritje tjetër në bashkëpunimin e frytshëm midis OSBE-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunim i cili ka filluar vite më parë. Duke folur më tej mbi rëndësinë e këtij projekti, ministrja Kodheli u shpreh se, në më pak se dy muaj OSBE-ja dhe Ministria e Mbrojtjes përfunduan projektin, i cili synonte ripaketimin e materialeve të rrezikshme të gjendura në vende të ndryshme, si në Shkozet, Poliçan, Laboratorin Ushtarak në Tiranë, Gramsh, Elbasan dhe Qafë Mollë. “Këto produkte të rrezikshme, në një sasi rreth 100 ton, që nuk i përkasin vetëm FA-së, janë ripaketuar në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe janë të sigurta për t’u eksportuar dhe shkatërruar”, është shprehur ministrja Kodheli.
Siguria e jetës
Kodheli nënvizoi faktin se përfundimi i fazës së parë të këtij projekti, veçanërisht në një moment ku opinioni publik shqiptar është më sensitiv ndaj kimikateve të rrezikshme, sjell përmirësim të rëndësishëm të situatës së sigurisë për popullsinë dhe ambientin. Me këtë rast, ajo ka shprehur një falenderim dhe mirënjohje të veçantë për ndihmën e dhënë nga vendet mike gjatë gjithë këtij procesi shumë të vështirë si: SHBA, Kanadaja, Zvicra, Republika Çeke, Turqia, Danimarka, Holanda, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia, Suedia dhe Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
http://www.sot.com.al/politike/ministria-e-mbrojtjes-izolon-100-ton-kimikate-t%C3%AB-rrezikshme-n%C3%AB-qaf%C3%AB-moll%C3%AB-plan-p%C3%ABr-t%E2%80%99i





