VLORE, 10 mars 2013 Mbi 30 familje në zonën e Ujit të Ftohtë në afërsi të shkollës tregtare mbi kodrat e qytetit rrezikojnë të izolohen për shkak të shkarjes së tokës. 

Në këtë zonë situata sa vjen dhe përkeqësohet si pasojë e reshjeve të shiut, të cilat këto ditë kanë qenë me intensitet.

Rruga që të çon në këto banesa, përveç amortizimit total prej vitesh, tashmë është përpirë nga shkarjet masive të dherave, duke e bërë të pamundur kalimin e automjeteve.

Ndërkaq, bashkë me rrugën rrezikohen seriozisht dhe shumë shtëpi.

Më të rrezikuara janë dy banesa, të cilat nga momenti në moment mund të shemben nga shkarja e dherave.

Edhe pse prej kohësh banorët kanë kërkuar marrjen e masave urgjente, vetëm dje është bërë i mundur inspektimi i zonës nga specialistë të bashkisë.

Banorët janë shprehur të indinjuar për mungesën e vëmendjes nga strukturat përgjegjëse. “Prej kohësh kjo zonë ka rrëshqitje masive toke. Edhe para një viti disa banesa trekatëshe janë shkatërruar totalisht, por sërish nuk është marrë asnjë masë. As ambulanca apo zjarrfikësja nuk hyjnë dot në këtë zonë, ndaj kërkojmë të ndërhyhet urgjentisht”, shprehen banorët.