Civilët po ikin nga veriu i Gazës me makina, kamiona dhe në këmbë pas një paralajmërimi izraelit se civilët duhet të lëvizin në jug.

Pavarësisht situatës, banorët vendas thonë se nuk ka më asnjë mënyrë për të shpëtuar.

Shtetasi Farah Abo Sedo ishte në qytetin e Gazës këtë mëngjes dhe tha për BBC, se nuk dinte çfarë të bënte pasi dëgjoi paralajmërimin e evakuimit.

“Po shoh njerëz që mbajnë çantat e tyre sikur duan të ikin, por ku duhet të shkojmë? Është një qytet i vogël, nuk ka shpëtim, ne po përpiqemi të shpëtojmë jetën tonë.Na bombardojnë çdo natë pa mëshirë, nuk ka mbetur asgjë”, u shpreh ai.

I trembur dhe pa shpresa, ai thotë se askush nuk na mbron dhe nuk na dërgon ndihmë, nuk ka vend të sigurt këtu, ka shumë fëmijë dhe gra shtatzëna dhe askush nuk i ndihmon.

Luftëtarët e Hamasit rrëmbyen të paktën 150 njerëz dhe i çuan në Gaza gjatë sulmeve brutale ndaj Izraelit në fundjavë, ku u vranë 1,300 njerëz.

Më shumë se 1500 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi sulmet ajrore hakmarrëse, të cilat vazhdojnë.