Forcat ajrore izraelite kryen një sulm në periferitë jugore të Bejrutit, kryeqytetit libanez, që shënon bombardimin e parë që nga marrëveshja e armëpushimit të Nëntorit të vitit të kaluar. Ushtria izraelite tha se ka goditur një objekt magazinimi dronësh në një zonë që i përket grupit të armatosur Hezbollah, të mbështetur nga Irani. Sulmi, i cili u dëgjua në të gjithë Bejrutin, pasoi një urdhër evakuimi nga ushtria izraelite për disa lagje të qytetit.
Izraeli deklaroi se do të vazhdojë të përgjigjet ndaj atyre që konsideron si shkelje të armëpushimit nga Hezbollah. Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i cili ndodhet në Paris, tha se sulmet e fundit të Izraelit në Bejrut janë një “përpjekje keqdashëse për ta rikthyer Libanin në rrethin vicioz të dhunës”.
Në javët e fundit, Libani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme mes njëri-tjetrit, dhe Izraeli është angazhuar për përgjigje të fortë ndaj çdo kërcënimi ndaj sigurisë së tij. Kjo ka shkaktuar shqetësim se konflikti i vitit të kaluar, i cili zhvendosi mbi 1.3 milionë njerëz dhe shkatërroi pjesën më të madhe të jugut të Libanit, mund të rifillojë.
Në ndërkohë, gratë dhe fëmijët janë në mesin e 22 personave të vrarë nga sulmet izraelite në Khan Younis, dhe numri i të vdekurve po vazhdon të rritet pasi Izraeli ka thyer armëpushimin e Gazës 10 ditë më parë.