Më shumë se 500 objektiva të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës u goditën gjatë natës, sipas Forcave Ajrore izraelite (IAF).

Sipas IAF avionët luftarakë dhe helikopterët, avionët dhe artileria goditën objektivat. Gjithashtu janë goditur shtatë qendra komanduese të Hamasit dhe një qendër komanduese të Xhihadit Islamik.

Zyrtarët palestinezë shëndetësorë kanë deklaruar se 413 persona janë vrarë në Gaza që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite.

Një familje ende mbahet peng në Izrael

Në konferencën e tyre të mëngjesit, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) konfirmuan se një familje izraelite mbahej ende peng nga militantët në Kfar Aza, e cila është afër Gazës.

Të dielën, qeveria izraelite tha se më shumë se 100 izraelitë janë rrëmbyer, ku mendohet se shumica janë marrë në Gaza.

Kur u pyet për numrin e pengjeve në Gaza, zëdhënësi i IDF tha: Unë do të thosha dhjetëra.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit gjatë konferencës së zhvilluar sot në mëngjes, kanë thënë se kanë sulmuar rreth 1000 objektiva brenda Gazës. Ata shtuan se ka njerëz të armatosur të Hamasit që ende luftojnë në shtatë deri në tetë lokacione brenda Izraelit. Këto përfshijnë Be’eri, një komunitet agrar, i cili u infiltrua nga luftëtarët e Hamasit brenda natës. Shumë nga militantët janë vrarë, por të tjerë janë ende të fshehur nëpër shtëpi tha IDF.

Rreth 1,100 njerëz janë konfirmuar të vdekur në Izrael dhe Gaza që nga fillimi i sulmeve të së shtunës. “Qëllimi i këtij operacioni është diçka krejtësisht ndryshe… Po merr më shumë kohë nga sa prisnim për t’i kthyer gjërat në një pozicion mbrojtës”, tha nënkoloneli Richard Hecht në një konferencë me gazetarët.

Në Gaza, sulmet ajrore kanë zhvendosur rreth 123,000 njerëz, thotë OKB.