Forcat Ajrore të Izraelit kanë ndërmarrë sulme ajrore mbi kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, që kontrollohet nga rebelët Houthi, të dielën.

Dëshmitarë okularë dhe pamje filmike nga vendngjarja treguan një shpërthim të fuqishëm në zonë. Ende nuk është bërë e qartë se cili ishte objektivi i goditur.

Ushtria izraelite nuk ka konfirmuar zyrtarisht sulmin. Ky veprim vjen pas një sulmi të kryer të premten nga Houthit, të cilët lëshuan drejt Izraelit një dron dhe një raketë balistike me koka shpërthyese me bombë thërrmuese.

Sipas një hetimi të Forcave Ajrore izraelite, kjo është hera e parë që Houthit përdorin një raketë me bombë thërrmuese ndaj Izraelit. Një prej raketave goditi një banesë në oborrin e saj, duke shkaktuar dëme të lehta materiale.

Ushtria izraelite njoftoi se dështimi për të kapur raketën është nën hetim dhe nuk ka të bëjë me llojin e kokës shpërthyese që ajo mbante.

Irani, që furnizon me armë rebelët Houthi në Jemen, ka lëshuar gjithashtu raketa balistike me bomba thërrmuese ndaj Izraelit të paktën dy herë gjatë luftës 12-ditore në muajin qershor.