Sulmet izraelite u intensifikuan në të gjithë Gazën të martën në disa nga goditjet më të fuqishme prej javësh, sipas banorëve. Ndërkohë ushtria urdhëroi evakuime të reja në veri të enklavës, duke paralajmëruar civilët se ndodheshin në një “zonë të rrezikshme luftarake”.
Sulmet nga ajri dhe ato tokësore me tanke, u njoftuan gjithashtu në zonat qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës. Banorët thanë se bombardimet vazhduan për pothuajse 24 orë pa ndërprerje.
Në një postim në platformën e mediave sociale X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee u kërkoi banorëve të katër zonave në Beit Lahiya në skajin verior të Gazës që të zhvendosen në dy zona të caktuara.
Ai tha se ushtria “do të veprojë me forcë ekstreme kundër infrastrukturës terroriste dhe elementeve të rrezikshëm” në rajon. Në një deklaratë të lëshuar më vonë të martën, ushtria tha se “ndjek ligjin ndërkombëtar dhe merr masa paraprake për të zbutur dëmet ndaj civilëve”.
Bombardimet e reja në veri të Gazës vijnë pothuajse katër muaj pasi ushtria izraelite njoftoi se po tërhiqte trupat nga atje, duke thënë se Hamasi nuk i kontrollonte më ato zona.
Këtë muaj, Izraeli tërhoqi gjithashtu shumicën e forcave në Gazën jugore. Por përpjekjet për të arritur një armëpushim kanë dështuar dhe bombardimet dhe sulmet izraelite në territorin ku trupat e tij janë tërhequr, po e bëjnë të vështirë për banorët e Gazës të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e braktisura.
Bombardimi i së martës erdhi pasi sirenat e alarmit për raketat u dëgjuan në dy qytete kufitare izraelite jugore, megjithëse nuk pati njoftime për viktima. Krahu i armatosur i Xhihadit Islamik, një grup aleat i Hamasit, mori përgjegjësinë për sulmet në Sderot dhe Nir Am. Goditjet dëshmuan se militantët janë ende në gjendje të lëshojnë raketa pothuajse 200 ditë pasi filloi lufta, e cila ka rrafshuar pjesë të mëdha të enklavës dhe ka zhvendosur pothuajse të 2.3 milionë banorët e saj.
Hamasi tha se Izraeli kishte arritur vetëm “poshtërim dhe disfatë” me ofensivën e tij. Duke folur në një video të transmetuar nga televizioni Al Jazeera, Abu Ubaida, zëdhënësi i krahut të armatosur të Hamasit, bëri thirrje për një përshkallëzim të konfliktit në të gjitha frontet dhe ngriti lart Iranin për sulmin kundër Izraelit në fillim të këtij muaji.
Ai tha gjithashtu se Hamasi i qëndronte kërkesave të tij në bisedimet e armëpushimit që Izraeli t’i japë fund krejtësisht luftës së tij, të tërheqë të gjitha trupat e tij nga Gaza dhe të lejojë të zhvendosurit të kthehen në veri. Izraeli i ka rezistuar një armëpushimi të përhershëm, duke thënë se kjo do të lejonte vetëm rigrupimin e Hamasit. voa