Dhjetëra palestinezë të sëmurë dhe të plagosur u lejuan të shkonin në Egjipt të enjten, një nga evakuimet e para mjekësore që nga mbyllja e pikëkalimit kufitar me Egjiptin në muajin maj.
Gjashtëdhjetë e tetë persona, në mesin e tyre 19 fëmijë të sëmurë dhe të plagosur dhe familjet e tyre kaluan në Egjipt në kuadër të një evakuimi të koordinuar me zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe komuniteti ndërkombëtar, tha ushtria izraelite.
Njëzet e një pacientë me kancer nga Gaza po transportohen në Emiratet e Bashkuara Arabe për trajtim mjekësor, sipas agjencisë së lajmeve Agence France-Presse. Është e paqartë nëse 21 pacientët me kancer janë pjesë e 68 personave të evakuuar.
Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve të Gazës, tha se më shumë se 25,000 pacientë në Rripin e Gazës kanë nevojë për trajtim mjekësor jashtë vendit dhe se rruga nga pikëkalimi Kerem Shalom në Egjipt nuk mund të zëvendësojë atë në Rafah, që e lidh drejtpërdrejt Gazën me Egjiptin.
Ndërkohë, forcat izraelite hynë në një lagje të qytetit të Gazës të enjten dhe urdhëruan banorët palestinezë që të zhvendoseshin në jug, në kuadër të një operacioni, që Izraeli thotë se është pjesë e fazave përfundimtare të luftës kundër militantëve të Hamasit.
Të paktën shtatë persona u vranë në lagjen Shijaiyah të Gazës, sipas Shërbimit Palestinez të Emergjencave Civile.
Banorë të lagjes Shijaiyah i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se u befasuan kur dëgjuan të shtënat me tanke dhe dronë në lagjen e tyre. Numri i viktimave pritet të jetë më i lartë për shkak të civilëve të bllokuar nën rrënoja, që ekipet e kërkim-shpëtimit nuk kanë arritur t’i nxjerrin.
Izraeli filloi një ofensivë të gjerë ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u morën peng 250 të tjerë.
Sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 37600 njerëz. Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në raportet e saj mbi numrin e viktimave. /VOA