Ndërkohë që lufta vijon prej më shumë se tre muajsh, Izraeli është duke mbledhur dëshmi për të dokumentuar raste të përdhunimeve të kryera nga luftëtarët e Hamasit ndaj qytetarëve të cilët merrnin pjesë në një festival që zhvillohej pranë kufirit, në Gaza.
Një prej dëshmive është ajo e Raz Cohen, një 24-vjeçar që i ka mbijetuar sulmit.
“Pesë burra dolën nga fugoni dhe kapën një grua. Pasi i shqyen rrobat, njëri prej tyre e përdhunoi për rreth 40 sekonda e më pas e vrau duke e goditur me thikë. Pasi e vrau, e përdhunoi sërish trupin e pajetë.
Edhe e dashura ime mbeti e vrarë, ndërkohë që u përpoq të arratisej me një shoqe. Pashë edhe një grua e cila ndërsa nxitonte për tu fshehur në disa shkurre që ndodheshin aty pranë, u qëllua në kokë”, tha ai, sipas CNN.
Sipas tij asnjë nga burrat e tjerë rreth viktimës nuk ishte i shqetësuar nga ngjarja makabre.
“Ata vranë shumë njerëz për argëtim. Qeshnin ndërkohë që po ndodhnin të tilla situata”, tha ai.
Cohen, thotë se vrapoi nëpër shkretëtirë për t’i shpëtuar sulmuesve. Ai përshkroi se ndjehej sikur ishte në poligon, ndërsa përpiqej të gjente një mënyrë për t’ju fshehur plumbave.
Në nëntor, mbikëqyrësi i policisë izraelite Dudi Katz tha se oficerët kishin mbledhur tashmë më shumë se 1,000 deklarata dhe më shumë se 60,000 video në lidhje me sulmet që përfshinin llogari të shumta nga njerëz që raportuan se kishin parë gra të përdhunuara.
Rreth 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 të tjerë u morën peng në sulmet që u dënuan globalisht dhe çuan në një përgjigje masive ushtarake të Izraelit. Luftë që ka marrë jetën e më shumë se 22,000 palestinezëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Palestinës.