Ministria e Jashtme e Izraelit njoftoi zyrtarisht të hënën Kombet e Bashkuara se do të ndërpresë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, të njohur me shkurtesën ‘UNRWA’, me hyrjen në fuqi të një ligji të ri izraelit në fillim të vitit të ardhshëm.

Ligji i ri i miratuar nga parlamenti izraelit ndalon veprimtarinë e UNRWA-s në Izrael.

“Megjithëse OKB-së i kemi dorëzuar OKB-së prova të shumta që dëshmojnë infiltrimin e Hamasit në UNRWA, Kombet e Bashkuara nuk ndërmorën asnjë veprim për të korrigjuar situatën”, deklaroi përmes një komunikate ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon.

Izraeli ka kohë që e kritikon agjencinë UNRWA dhe ka akuzuar një pjesë të punonjësve të saj për pjesëmarrje në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit.

Izraeli ka dhënë pak prova për të mbështetur pretendimet e veta dhe drejtuesi i UNRWA-s, Philippe Lazzarini deklaroi javën e kaluar se agjencia nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme Izraelit për t’i dhënë informacion të tillë.

“Prandaj, UNRWA gjendet në një situatë të pavolitshme, duke mos qenë në gjendje të përgjigjet ndaj pretendimeve për të cilat nuk ka prova, ndërkohë që këto pretendime vazhdojnë të përdoren për të minuar agjencinë”, deklaroi zoti Lazzarini.

UNWRA është shpërndarësi më i madh i ndihmës për palestinezët në Rripin e Gazës, ku kundërpërgjigja e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit ka shkatërruar shumë pjesë të territorit dhe ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës.

Zyrtari Lazzarini tha javën e kaluar se shpërbërja e agjencisë “do të ketë një ndikim katastrofik ndaj përgjigjes ndërkombëtare për situatën humanitare në Gazë”.

Letra e Izraelit drejtuar OKB-së thotë se shteti “do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe agjencitë tjera të OKB-së, për të siguruar lehtësimin e ndihmave humanitare për civilët në Gazë në një formë që nuk do ta minojë sigurinë e Izraelit”.

Agjencitë humanitare janë ankuar vazhdimisht për vonesat për të dërguar ndihmë në Gazë, si dhe për kushtet e pasigurta për të shpërndarë ndihmën në brendësi të Gazës për shkak të luftimeve.

Izraeli njoftoi të dielën se ka ndërmarr një sulm tokësor në Siri, duke kapur një shtetas sirian, për të cilin tha se ishte i përfshirë në rrjetet iraniane që mbështesin militantët në rajon.

Sulmi izraelit në Siri është i pari në këta 13 muaj të konfliktit në Lindjen e Mesme. Siria nuk e konfirmoi ende operacionin.

Ushtria izraelite nuk zbuloi detaje se ku ka ndodhur operacioni apo kur, por e identifikoi personin e kapur si Ali Soleiman al-Assi, duke shtuar se ai jetonte në rajonin jugor sirian Saida. Izraeli tha se ai ishte nën vëzhgimin e tyre për shumë muaj dhe se ishte i përfshirë në sulmet iraniane në Lartësitë e Golanit, rajon i aneksuar nga Izraeli, në afërsi të kufirit me Sirinë.

Pamjet nga operacioni, të publikuara nga ushtria, treguan ushtarët derisa po arrestonin një person të veshur me një triko të bardhë brenda një ndërtese. Ky person u dërgua në Izrael për t’u marrë në pyetje, sipas ushtrisë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi kufirin me Libanin të dielën, duke thënë se militantët e Hezbollahut në Liban duhet të largohen përtej lumit të Litanit, me apo pa marrëveshje për armëpushim dhe që grupit militant që mbështetet nga Irani duhet t’i parandalohet armatimi. Lumi është rreth 30 kilometra në veri të kufirit izraelit.

“Me apo pa marrëveshje, çelësi për kthimin e banorëve që jetojnë në pjesën veriore nëpër shtëpitë e tyre është ta mbajmë Hezbollahun përtej lumit të Litanit, të godasim secilën përpjekje të tyre për t’u armatosur dhe t’i përgjigjemi me forcë secilit veprim kundër nesh”, deklaroi kryeministri Netanyahu.

Para më shumë se një viti, militantët e Hamasit vranë 1,200 persona dhe morën peng 250 të tjerë, duke nxitur luftën e tanishme. Izraelit thotë se beson se Hamasi ende mban 101 pengje, përfshirë 35 persona që sipas ushtrisë kanë vdekur.

Kundër-ofensiva e Izraelit në Gazë ka vrarë mbi 43,000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë së këtij territori, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve.

Qeveria amerikane dhe vende të tjera perëndimore i kanë shpallur Hamasin dhe Hezbollahun organizata terroriste./VOA