Dy palestinezë janë vrarë mëngjesin e 12 prillit gjatë përleshjeve me forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, raportuan mjekët palestinezë dhe ushtria izraelite.

Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha se njëri nga të vrarët ishte një nga komandantët e tij lokalë.

Operacioni izraelit u krye në qytezën Tubas dhe në kampin e refugjatëve, al-Fara.

Organizata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze konfirmoi vdekjen e dy personave dhe tha se edhe tre të tjerë janë plagosur, përfshirë njërin që ka pësuar lëndime serioze.

Ushtria izraelite tha se caku i operacionit ishte Mohammed Daraghmeh, një komandant lokal i Hamasit.

Sipas ushtrisë, Daraghmeh u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me ushtarët izraelitë të cilët zbuluan armë në veturën e tij. Ushtria pretendoi se Daraghmeh po planifikonte sulme ndaj caqeve izraelite, por nuk ofroi prova për këtë pretendim.