“Hezbollahu po përpiqet të ngrejë kokën dhe të testojë se sa rreptësisht po zbatojmë marrëveshjen për armëpushimin në Liban”. Kështu ka deklaruar Komandanti i Forcave Ajrore izraelite, Tomer Bar, në një prononcim për mediat izraelite.
“Këtë mëngjes goditëm shtatë pika kalimesh përgjatë kufirit midis Sirisë dhe Libanit. Kuptuam se ata po përpiqeshin të na testonin dhe të kontrabandonin armët edhe një herë. Kjo nuk duhet toleruar”, – deklaroi Tomer Bar, Komandant i Forcave Ajrore izraelite.
Po ashtu, trupat izraelite konfiskuan një kamion e cila ishte e pajisur me raketa dhe mbante 40 fuçi në Libanin jugor, pjesë e një ngarkese nga zona të ndryshme që përfshinin eksplozivë, granatahedhës me raketa dhe pushkë automatike AK-47, tha ushtria izraelite.
Sakaq, forcat izraelite bastisën të premten Spitalin Kamal Adwan, një nga tre objektet mjekësore në skajin verior të Gazës, duke urdhëruar dhjetëra pacientë dhe qindra të tjerë të evakuohen dhe duke lënë një pjesë të vendit të shkatërruar, thanë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, në Gaza.
Autoritetet e Palestinës bëjnë me dije se sulmet izraelite në Gaza vranë të paktën 25 civilë, përfshirë 15 persona në një shtëpi të vetme në qytetin e Gazës, thanë mjekët dhe shërbimi i urgjencës civile.
Ushtria izraelite në reagimin e saj tha se ishte përpjekur të kufizonte dëmtimin e civilëve dhe kishte “lehtësuar evakuimin e sigurt të civilëve, pacientëve dhe personelit mjekësor përpara operacionit”, por nuk dha detaje.