Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, thotë se ushtria ka rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve pranë barrierës së Gazës, por përleshjet e izoluara po vazhdojnë me persona të armatosur aktivë palestinezë.

Më parë, ushtria tha se luftimet po zhvilloheshin në “shtatë ose tetë” vende brenda territorit izraelit.

Kombet e Bashkuara thonë se 123,538 njerëz në Gaza janë zhvendosur brenda vendit, kryesisht “për shkak të frikës, shqetësimeve për mbrojtjen dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre”.

Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) shtoi se 73,000 njerëz janë strehuar në shkolla.

Adnan Abu Hasna, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA),  pret që shifrat të rriten.

Në Gaza jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Para se të niste sulmet ajrore hakmarrëse të shtunën, Izraeli paralajmëroi njerëzit që jetonin në zona të caktuara të largoheshin.

“Po i them popullit të Gazës: largohuni prej andej tani, sepse ne jemi gati të veprojmë kudo me gjithë forcën tonë”, tha të shtunën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.