Në një lëvizje më rëndësi të madhe simbolike, forcat izraelitë arritën të shpëtojnë dy pengje gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të ditës, duke ushqyer kështu shpresën për më shumë se 100 personat që ende mbeten në duart e Hamasit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por ndërkohë, për dy jetët e shpëtuara izraelite kushtuan 67 jetë palestinezësh, të vrarë gjatë bombardimeve ajrore që shoqëruan bastisjen në tokë.

Operacioni u zhvillua në Rafah, qyteteti kufitar në jugun e Rripit të Gazës ku 1.5 milion palestinezë janë zhvendosur që prej fillimit të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të territorit. Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah, dhe ruheshin nga militante të armatosur si brenda godinës në fjalë, ashtu edhe në ndërtesat përreth.

Pjesëtarët e njësisë së shpëtimit, sipas tij, i mbrojtën pengjet me trupat e tyre përderisa mes shkëmbimit të ashpër të zjarrit me shumë luftëtarë të Hamasit. Ndërkohë, burime nga ministra palestineze e shëndetësisë thonë se në mesin e dhjetëra të vrarëve nga sulmet ajrore të shtetit hebre, kishte gra dhe fëmijë.

Episodi pason një sërë paralajmërimesh të komunitetit ndërkombëtar ndaj ofensivës së paralajmëruar të Izraelit në Rafah, çka nxiti dhe Egjiptin të afronte tanket në kufi. Izraeli e ka përshkruar zonën si bastionin e fundit të mbetur të Hamasit në Gazë dhe ka sinjalizuar se një ofensivë tokësore shumë shpejt do të shënjestrojë këtë qytet të mbushur me njerëz.