Izraeli dhe grupi militant Hezbollah shkëmbyen sërish sulme sot, vetëm disa orë pasi pezulluan një shkëmbimin intensiv sulmesh ajrore dhe me raketa gjatë fundjavës. Zyrtarët e lartë amerikanë thanë se po bëjnë përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit përmes një marrëveshjeje armëpushimi që do t’i jepte fund luftës në Gazë dhe do të krijonte kushtet për stabilitet më të gjerë rajonal. Por zyrtarët izraelitë dhe iranianë kanë paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë.
Pas një qetësie të shkurtër, që pasoi një shkëmbim intensiv zjarri ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut gjatë fundjavës, luftimet mes të dyja palëve rifilluan të hënën. Mediat shtetërore dhe dëshmitarët raportuan se sulmet ajrore izraelite kishin vënë në shënjestër fshatin kufitar libanez Tair Harfa dhe një zonë të qytetit bregdetar të Sidonit, ku u godit një makinë.
Sulmet e së hënës erdhën pas njoftimeve të zyrtarëve izraelitë dhe drejtuesve të Hezbollahut, grupit militant të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, për qëllimet e tyre dhe paralajmërimeve të Iranit për hakmarrje, që po ngjallin frikën e një lufte të gjerë rajonale në Lindjen e Mesme.
Izraeli tha të dielën se ndërmori një sulm parandalues ndaj Hezbollahut, i cili sipas tij, ishte bërë gati për të sulmuar Izraelin për t’u hakmarrë për vrasjen e një zyrtari të lartë militant nga Izraeli.
“Para tre javësh eliminuam shefin e kabinetit të Hezbollahut dhe sot parandaluam planin e tij të sulmit. Nasrallahu në Bejrut dhe Khamenei në Teheran, duhet ta dinë që ky është një hap i radhës për të ndryshuar situatën në veri dhe për t’i kthyer në shtëpitë e tyre banorët e asaj zone. Po e përsëris – kjo nuk përfundon këtu”, deklaroi Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në një fjalim televiziv, drejtuesi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se sulmi i grupit militant, që mbështetet nga Irani, ndaj Izraelit ishte shtyrë për t’i dhënë mundësi bisedimeve për arritjen e armëpushimit dhe se në shënjestër e tij ishte një bazë ushtarake zbulimi në afërsi të Tel Avivit.
“Kjo është arsyeja se përse nuk nxituam… për t’iu dhënë hapësirë negociatave. Qëllimi ynë kryesor në këtë aspekt dhe i tërë gjakut që është derdhur dhe të gjitha sakrificave që janë bërë është që të ndalim agresionin në Gazë”, tha ai.
Përplasjet e fuqishme ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut po bëhen ndërkohë që ndërmjetësit ndërkombëtarë rifilluan bisedimet për arritjen e armëpushimit në luftën mbi 10 muajshe ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Gjatë një vizite në Kanada, Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se administrata amerikane po bën përpjekje për të parandaluar një luftë rajonale në Lindjen e Mesme.
“Ndajmë një synim të përbashkët për arritjen e paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme – siguri për Izraelin si shtet demokratik të hebrenjve dhe një rrugë para për popullin palestinez në mënyrë që të jetojnë të lirë dhe me dinjitet, që Izraeli të normalizojë marrëdhëniet me të gjithë fqinjët arabë”, deklaroi zoti Sullivan.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Iranit Abbas Araghchi iu referua sulmit të planifikuar ndaj Izraelit në një postim në platformën X, duke thënë se “reagimi i Iranit ndaj sulmit të Izraelit në Teheran do të ndodhë patjetër” dhe se ai do të jetë “proporcional dhe i mirë kalkuluar.”
“Nuk i frikësohemi përshkallëzimit, por për dallim nga Izraeli, ne nuk e synojmë atë”, shkroi ai.
Ndërkohë në Gazë, operacionet e ushtrisë izraelite kanë vazhduar.
Sipas njoftimeve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, të administruar nga Hamasi, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve, numri i të vdekurve ka arritur në 40,435 dhe rreth 94 mijë të plagosur nga ky konflikt, që u nxit nga sulmi i grupit militant palestinez ndaj vendbanimeve izraelite i cili la 1,200 të vdekur, ndërsa 250 persona u të rrëmbyen.