Pas eliminimit të kreut të grupit Hezbollah në Liban, Hassan Nasrallah, Izraelit ka vrarë një tjetër zyrtar të lartë të grupimeve që organizojnë sulme ndaj shteti hebre.

Mësohet se gjatë bombardimeve të fundit në Liban, të cilat këtë herë mbërritën deri në Bejrut, ka humbur jetën dhe kreu i Hamasit për këtë territor, Fateh Sherif Abu el-Amin.

Sipas mediave izraelite, gjatë këtij sulmi janë vrarë dhe disa familjarë të Abu el-Amin.

Por sulmi i mëngjesit të sotëm në lagjen Kola, ishte i pari brenda kufijve të qytetit të Bejrutit, një tjetër përshkallëzim që vëzhguesit kanë frikë se mund të shkaktojë një luftë më të gjerë.

Presidenti  Joe Biden paralajmëroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se një luftë e gjithanshme në Lindjen e Mesme duhet të shmanget, edhe pse ushtria amerikane rriti praninë e saj në rajon.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në Liban, duke kërkuar që të ruhet sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.

Në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme në Riad, u përsërit mbështetja e Mbretërisë për popullin libanez ndërsa përballet me pasojat e ngjarjeve në vazhdim dhe u nënvizua nevoja për të zbutur tensionet.