*Shehu: Spitali i Durrësit ka nevojë për personel, jo për shkarkime!
Plot 45 punonjës, prej të cilëve 30 sanitarë, janë paralajmëruar për shkarkim nga puna, në fund të muajit qershor nga drejtoria e spitalit Durrës. Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë shkrihet organika e sektorit të kimistëve, plot 7 tillë mbeten pa punë, po ashtu edhe 8 kaldajistët e spitalit i kap kjo reformë e planifikuar të zbatohet në fund pranvere.
“Ethet” e këtyre shkarkimeve në kuadër të kësaj reforme janë prezente tek të gjithë punonjësit e reparteve, ndërsa kundër shkarkimeve është shprehur edhe drejtori i komanduar prej pak ditësh, mjeku neurolog Endri Shehu. “Është një reformë në strukturë, e planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë. Spitali i Durrësit ka nevojë për këtë personel, dhe ne do t’i kërkojmë ministrit të Shëndetësisë ta rishikojë vendimin”, tha Shehu në një intervistë për “DurrësLajm”.
Mjeku Neurolog i spitalit të Durrësit, Endri Shehu, i njeh më së miri “plagët dhe hemorragjitë” që ka spitali i Durrësit, po ashtu edhe të gjitha problematikat në të gjithë repartet e pavionët e spitalit. Prej pak ditësh që drejton këtë spital, Shehu ka siguruar fillimisht dyshekët e më pas çarçafë e pajisje të tjera për urgjencën e spitalit, e cila po pret mbi 300 pacientë në ditë. Po kështu ka kontaktuar për furnizimin e barnave pas problemeve të vërejtura në çdo pavion.
K.H.





