1 qershor 2015 – Europa e futbollit spostohet në destinacionet turistike ku yjet e kontinentit do të relaksojnë muskujt për të fituar energji të vlefshme për sezonin e ri. 9 muaj zjarri në disa nga kampionatet më të luftuar ku kampionët festuan titujt e luftuar deri në javët e fundit. Nga Bundesliga dhe deri tek Primera Division të gjithë po bëjnë llogaritë ku përveç trofeve të klubeve nuk mbeten jashtë vëmendjes as arritjet individuale. Ata janë bomberat e vërtetë që përgjatë çdo jave kanë ngritur peshë zemrat e mijërav tifozëve por mbi të gjitha kanë ndihmuar skuadrat e tyre me oksigjen pikësh të rëndësishme në betejën e gjatë.
Në Spanjë Cristiano Ronaldo zhvilloi një sezon stratosferik në nivelin personal duke realizuar plot 48 gola, 5 më shumë se Messi. Këpuca e Artë shkon për Portugezin që pushton kontinentin me numrin më të madh të realizimeve personale. E vetmja rreze drite në një sezon të dështuar për sulmuesin e Realit të Madridit. Askush nuk e ka prekur më shumë rrjetën se numri 7 që gjithsesi duhet të kënaqet vetëm me këtë arritje në një sezon ku Reali i Madridit nuk funksionoi si një grup i bashkuar.Nëse në Primera Division nuk ka rivalë, Serie A reflekton një tjetër situatë. Luca Toni ishte vetëm 16 vjeç kur bëri debutimin me Modenan dhe në atë kohë Mauro Icardi sapo kishte ardhur në jetë. Një krahasim që flet shumë sepse dy sulmuesit që përfaqësojnë dy gjenerata të ndryshme, ndajnë vendin e parë të tabelës së golashënuesve me nga 22 realizime personale. 38-vjeçari i Veronës regjistroi një sezon spektakolar kundër çdo pritshmërie, por argjentinasi i Interit e arriti në frymën e fundit me dy golat e shënuar ndaj Empolit në ndeshjen e javës së 38-të. Vendi i tretë shkon për Carlos Tevez me 20 gola që kanë shijen e titullit kampion për bardhezinjtë.Në Gjermani ishte një 32 vjeçar që zhvlerësoi milionat e shpenzuara nga Bayerni dhe gjigandët e Bundesligës. Alexander Maier me 19 gola zhvilloi një sezon spektakolar për Eintrahtin e Frankfurtit, duke lënë pas me 2 rrjeta më pak Robert Levandoëskin e holandezin Arjen Robben. Një sinjal i qartë se Bundesliga i shpoërndan cilësitë edhe përtej pikave të rëndesës.Nëse në tre kampionatet e sipërpërmendur Këpuca e Artë vjen nga lojtarët skuadrat e të cilëve nuk u shpallën kampione, në Eredivisie , Memphis Depay sigloi 22 rrjeta për të ndihmuar PSV Eindhoven në garën për titullin kampion. Një sezon në nivelet më të larta për 21 vjeçarin që i hapi rrugën transferimit te Manchester United ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
Në Premier League Kun Aguero nuk ka rivalë. Argjentinasi shënoi 26 gola në një sezon të dobët për Manchester Cityn. Vendi i dytë shkon për zbulimin e sezonit, Harry Keane.
Ligue 1 dekoron 24-vjeçarin e Lyonit, Alexandre Lacazette, i cili shënoi 27 gola për të rikthyer skuadrën e tij në zonën Champions League.Në klasifikimin e më të mirëve të Europës nuk mungon as një shqiptar. Shkëlqen Gashi me 22 gola mbylli një sezon perfekt. Sulmuesi i kombëtares shqiptare nuk ka rivalë në këtë garë pasi është viti i dytë rresht që fiton Këpucën e Artë në Zvicër ku Baseli i tij fitoi titullin kampion.