Disa gra durrsake, iniciatore të një nisme mjaft të bukur, ishin të ftuar pasditen e sotme tek emisioni i moderatores Rudina Magjistari.

Prej rreth 3 vitesh, këto gra kanë krijuar një traditë të bukur, që konsiston në takime të përmuajshme me mikeshat në ndonjë nga lokalet e Durrësit, madje në disa raste edhe jashtë qytetit.

Disa përfaqësuese të tyre si Sofika Filo, Dea Hoxha, Enerjata Ramaj, Paulina Nushi shpjeguan në studio se iniciativën e morën për të forcuar lidhjet mes tyre, për të ndarë disa orë në muaj së bashku, për të folur për familjet dhe shoqërinë, por edhe për t’u argëtuar me njëra-tjetrën.

Zonjat treguan se zakonisht ftesat i shpërndajnë përmes rrjeteve sociale duke lënë ditën dhe orën e takimit.

Zakonisht mblidhen rreth 50-60 zonja në muaj, por me raste ditëlindjesh numri i tyre shtohet duke arritur deri në 150-160 të pranishme.

Duke qenë se nisma e tyre ka forcuar mjaft lidhjet me njëra-tjetrën dhe shërben si një pikë takimi për të konsoliduar miqësinë, në këtë 8 mars, ato i bënë apel grave në qytetet e tjera të Shqipërisë të përqafojnë këtë nismë, të kthyer tashmë në traditë të bukur për gratë durrsake.

Në studio u shfaqën edhe shumë foto nga aktivitetet, takimet dhe ekskursionet që këto zonja kanë organizuar ndër vite.

Në fund, surpriza e Rudinës për zonjat nga Durrësi ishte një vals me djemtë e trupës së baletit të televizionit Klan.

M.B.