Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në qendër të Durrësit diçka e veçantë do të organizohet.

Në sheshin para pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” do të jenë të vendosura tenda, në të cilat do të ofrohet një panair produktesh të prodhuara për fuqizimin e grave si dhe për t’u ardhur në ndihmë grave dhe vajzave viktima të dhunës, me anë të shitjes së të cilave do të mbështeten raste konkrete të dhunës në familje.

Panairi do të shoqërohet me aktivitete gjatë gjithë ditës, ku do të marrin pjesë zonja të nderuara të qytetit, të cilat janë simbole të gruas së suksesshme, e që do të jenë aty jo vetëm për të treguar arritjet personale, por edhe per t’u bërë zë për gra të tjera që nuk ia dalin dot, për të mbrojtur të drejtat e grave, e për të demonstruar se të qenurit femër nuk ka pse të jetë pengesë për të përmbushur objektivat që secila grua i ka vënë vetes në jetë.

Prej orës 09:30, të gjithë aktorët që punojnë në kuadër të të drejtave të njeriut (organizata, shkolla, institucione publike e private, gratë e Këshillit Bashkiak, biznese e qytetarë) do të behën bashkë në këtë panair gjithëpërfshirës për fuqizimin ekonomik të grave dhe për ndërgjegjësim.