Ndodh shpesh që edhe ushqimi yt i preferuar të pret në besë. Kjo dallohet që në kafshatën e parë ose të dytë kur zbulon se ajo që ke në gojë është një copë e mykur. Natyrshëm lind frika nëse grimca të kësaj kafshate të mykur kanë përfunduar në stomak duke i çelur rrugën një helmimi të mundshëm.

Çfarë Ndodh Në Organizëm Nëse Hani Ushqim Të Mykur

Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org thonë se ndonëse në përgjithësi njeriun nuk e gjen gjë nga konsumi i pavullnetshëm i një kafshate të mykur, ka raste kur kjo e fundit mund t’ju sëmurë.

Myku ka shije të keqe dhe jo domosdoshmërisht ka toksina.

Megjithatë në rastet kur imuniteti është i dobët, konsumi i tij mund t’ju bëjë të ndiheni keq.

Ekspertët thonë se në rast se keni ngrënë ushqim të mykur, atëherë duhet të prisni nëse përveç të përzierave keni simptoma të tjera.

Sipas tyre, stomaku është jnë ambient i egër për disa organizma siç janë bakteret dhe myku që jo domosdoshmërisht mund të mbijetojnë aty.

Kjo nënkupton që gjasat që të sëmureni nga një kafshatë e tillë janë të vogla.

Nevojiten sasi shumë të mëdha myku që të helmoheni apo sëmureni.

Në rastet helmimit, ju mund të keni të përziera dhe të vjella.

Në raste të tjera por të rralla, njeriu mund të ketë një reagim alergjik ndaj mykut dhe të vuajë nga probleme me rrugët e frymëmarrjes.

Sidoqoftë, këto probleme sipas ekspertëve janë të përkohshme dhe të trajtueshme.

Mjekët rekomandojnë pirjen e një gote ujë të ngrohtë për pastrimin e organizmit.

A Mund Ta Hani Ushqimin Pasi e Keni  Pastruar Nga Myku

Ka disa ushqime që janë të sigurta për konsum pasi keni hequr zonën me myk.

Bëhet fjalë për djathërat e fortë, sallamërat e fortë, frutat e forta dhe perimet.

Ndërkohë, frutat dhe djathërat e butë, ushqimet e pjekura, bishtajoret, arrorët, kosi, reçeli dhe mishi nuk duhen konsumuar.

Si Të Parandaloni Formimin e Mykut

Sekreti i mbajtjes së ushqimeve larg mykut është ruajtja e tyre në frigorifer.

Ky i fundit duhet pastruar rregullisht ndërkohë që niveli i lagështisë në shtëpi duhet të jetë nën 40 përqind./AgroWeb