– Arapi preferon që ta ndjekë skuadrën nga afër gjatë nxehjes, jo vetëm në ushtrimet taktike, por edhe ato fizike. Për t’i “mbijetuar” të ftohtit, kishte veshur edhe doreza.
– Të dy teknikët, Arapi dhe Shehi, përqafohen përzemërsisht midis tyre para ndeshjes. Mes tyre kalon Starova, i cili lëshon edhe një batutë në ecje e sipër.
– Teuta “refuzoi” të bënte foton zyrtare para ndeshjes, ndryshe nga bardheblutë.
– Të pranishëm në stadium nuk ishin më shumë se 300 tifozë, këta pjesa më e madhe ultras të Tiranës.
– Në momentin që portierit të Teutës, Endri Dema, i shpëton topi nga duart te gjuajtja e Seferit, ishte Idrizaj ai që shkon t’i japë kurajë.
– Orges Shehit, edhe pse ka disa vite që e ka lënë futbollin e luajtur, nuk i kanë humbur reflekset si portier. Këtë e tregoi në një moment kur topi shkoi jashtë vijave kufizuese, duke e mbërthyer sferën me njërën dorë.
– Jazxhi e kishte marrë etja dhe në një moment përfiton nga dëmtimi i Aleksit dhe shkon nga mbrojtja e tij duke kaluar në fushën kundërshtare për të marrë një bidon ujë te çanta e mjekëve.
– Shehi përfiton nga ndalesat e lojës për t’i dhënë udhëzime Seferit në fazën sulmuese. Ky i fundit i dërgon direktivat edhe te De Silva, me shpresën se do të gjenin të çara në mbrojtjen durrsake.
– Të dyja ekipet, para se të hyjnë në fushë edhe në pjesën e dytë, kryejnë disa minuta një nxehje për të mos lënë muskujt të ftohen.
– Për shkak se Seferi duhet të qëndronte deri në fund për të dhënë intervistat e rastit, u vonua më shumë se të tjerët dhe për pak e harrojnë në stadium. Gjatë momentit që autobusi ishte ndezur, dikush nga stafi i Tiranës i bëri me dije që duhet të prisnin Seferin, sepse ende nuk kishte ardhur.