Në ndeshjen e luajtur në Elbasan, nuk pati ndonjë të veçantë, veç të ftohtit dhe mungesës së tifozëve.

– Ashtu siç parashikohej, numri i të pranishmëve në stadium ishte shumë i ulët, jo më shumë se 100. Edhe moti i paqëndrueshëm me shi bëri të vetën për të stepur tifozët.

– Një ndërhyrje e ashpër ndaj Zabërgjës sjell panik te klubi dinamovit, duke iu druajtur një dëmtimi që në minutën e katërt. Për fat të mirë, pasi merr ndihmën mjekësore rikthehet në fushë.

– Shiu me erë sjell probleme edhe në ekipin e transmetimit, teksa kameramani që qëndronte në qendër, i prishet për një moment çadra nga era e fortë.

– Qardaku “than” nga i ftohti, duke qëndruar në pritje për t’u zëvendësuar me Qefalinë, me topin që nuk po dilte jashtë vijave kufizuese për disa minuta.

– Në minutën e 69-të Hamiti afrohet tek Gjoka, mesa duket për të rregulluar kufjet që kishin probleme. – Jord Çelkupa ishte i vetmi nga dinamovitët që nuk e kishte fanellën të personalizuar me emrin e tij, por vetëm me numrin 29-të mbi shpinë.