Ankth, ironi dhe në fund festë për kurbinasit. Ndeshja e djeshme mes Teutës dhe Laçit, e ndjekur nga një numër i ulët tifozësh në stadiumin “Niko Dovana”, pati disa momente interesante:
*Presidentët e dy skuadrave, Edmond Hasanbelliu dhe Pashk Laska, e ndoqën ndeshjen se bashku në tribunën kryesore.
*Të pranishëm në stadium ishin rreth 200 tifozë.
*Të dy trajnerët, Martini dhe Cungu, gjatë gjithë kohës ishin shumë impulsivë dhe kanë shprehur pakënaqësi për veprimet e futbollistëve të tyre në mbrojtje.
*Në minutën e para trajneri Cungu dëgjohej: “Hajde çuna dalim para dhe luajeni me shpejt topin. Më pas ai u kap me Manellarin: “O Mane, o Mane, mbajeni more djalë topin, bëni dy pasime, pse jeni në presion”.
*”Hajde o Daci afrohu more djalë, bëj presion, ngjitu lart”, dëgjohej Martini nga stoli.
*”Ej, o anësor, shumë thjesht i jep faullet ti mor burrë”, i drejtohet kapiteni Ujka njëri prej asistentëve, i cili iu kthye: “Do bësh edhe arbitrin ti, po ec luaj sport në fushë”.
*Melo në një moment u kap me Xhajën: “Ej, ej nuk ishte faull”. “E di unë, vazhdo lojën ti” iu përgjigj arbitri.
*Pas vërshëllimës së trefishtë të kryesorit Xhaja ka përqafime te Laçi dhe festë për fitoren me Teutën.