Dueli i javës së 11-të solli emocione, sportivitet dhe spektakël në Durrës. Ja disa nga momentet më pikante të përballjes mes Teutës dhe Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit.

-Para startit të takimit, nuk munguan skenat miqësore: Pano Qirko dhe Rroka Toma, ish-lojtarë të Teutës që aktualisht mbrojnë ngjyrat e Partizanit, u përqafuan ngrohtësisht me shokët e vjetër të skuadrës durrsake. Një moment respekti dhe sportiviteti që u duartrokit nga të pranishmit.

-Megjithëse moti ishte me shi, pjesëmarrja në stadium rezultoi e kënaqshme, me tifozët e të dyja ekipeve që krijuan një atmosferë elektrizuese. Tribunat gumëzhinin nga brohoritjet, duke e kthyer duelin në një festë futbolli pavarësisht kushteve atmosferike.

-Trajneri i Partizanit irritohet me arbitrin e katërt në minutat shtesë: “O vëlla, po ka mbaru ndeshja, ç’kini që shtoni kot kështu?” dëgjohej duke thënë me nerva pranë vijës anësore.

-Pas penalltisë së shënuar, ishsulmuesi i Teutës, Rrok Toma, që sot shënoi për fanellën e Partizanit, nuk festoi në shenjë respekti për ish-ekipin e tij.

-Në kampin e Teutës nuk u besonin syve pas humbjes së penalltisë nga Zela, dhe menjëherë pas saj Partizani arriti të shënojë golin vendimtar.

-Pas daljes me karton të kuq, trajneri i kërkon Janevës: “Andi, Andi, me pesë mbrapa!” dëgjohet duke bërtitur nga pankina, teksa përpiqet të riorganizojë skuadrën pas përjashtimit.

– Ndeshja mes Teutës dhe Partizanit dhuroi vazhdimisht momente tensioni dhe kishte të tilla edhe në fund të ndeshjes. Në një përplasje të tillë u përfshi trajneri i të kuqve, Oltijon Kërnaja, i cili shkoi të takonte gjyqtarët pas vërshëllimës përfundimtare. Aty kishte një shkëmbim me Përgjonin dhe Tolin e skuadrës durrsake të cilët nuk ngurruan t’i përgjigjeshin. Situata u zgjidh nga vetë pjesëtarët e Teutës, me Beshirajn dhe Arifin të cilët shtynë e larguan trajnerin e Partizanit, ndërsa pjesëtarë të skuadrës durrsake mbajtën dy futbollistët e tjerë që situata të mos përshkallëzohej më tepër.