“China Everbright” është kompania që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Emri i kompanisë është konfirmuar për revistën “Monitor” nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s, Z. Rolf Castro-Vasquez. Ai pohon se është kompania mëmë e TIA-s që po zhvillon negociatat dhe në shitje është vetëm biznesi në Shqipëri. Ishte një moment i mirë për të shitur dhe kishte kërkesa, ndaj kompania mëmë vendosi të hyjë në negociata për shitje.
Pak ditë më parë u bë publik lajmi se një sipërmarrje kineze është e interesuar për të blerë TIA-n. “China Everbright Limited” është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është “China Everbright Group”, me pronësi shtetërore.
Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë: DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%.
Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e ekskluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më 2027-n. Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.
Marrë nga Monitor