Policia ka zbardhur detaje në lidhje me ngjarjen e sotme në Himarë, ku mori flakë një skaf. 

Burime zyrtare nga policia thanë se mjeti lundrues ishte nisur nga Durrësi, nga janë edhe dy personat që ndodheshin në bord, të cilët u hodhën në det për të shpëtuar.

Ata janë shtetasit Altin Bejko, drejtues i mjetit lundrues, dhe Dorjan Danaj, pasagjer, të dy me banim në Durrës.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20, kur është njoftuar se një mjet lundrues është përfshirë nga flakët. Shërbimet e Policisë Kufitare janë afruar në zonën në fjalë dhe kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në vijën bregdetare të Himarës, pranë vendit të quajtur “Llaman”, ku mjeti lundrues tip skaf “Liburnet 1” dyshohet se për shkak të nxehjes së motorit ka filluar të marrë flakë.

Për pasojë, 2 durrsakët të cilët ishin pjesë e bordit të këtij skafi, janë shpëtuar nga ndërhyrja e Policisë Kufitare, 

Dyshohet se ngjarja ka ardhur për shkaqe aksidentale, pasi sipas deklarimeve të 2 personave të bordit, atyre u është fikur motori 200 m larg bregut të “Gjirit të Filikurit”, Himarë dhe në tentativë për ta ndezur përsëri, motori ka dhënë shkëndijë elektrike duke pasuar kështu me përhapjen e flakëve të zjarrit.

Mjeti lundrues ka qenë konform rregullave ligjore, aktualisht situata është nën kontroll, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme nga Policia Kufitare.

S.L.