24 nëntor 2013- Një arratisje spektakolare është shënuar mbrëmjen e djeshme në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës, duke vënë në alarm instancat më të larta shtetërore të sistemit të drejtësisë. Shtatë të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe të konsideruar si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë arratisur nga burgu i Drenovës, në kërkim të lirisë. Të burgosurit janë arratisur pasditen e djeshme rreth orës 19.30 në rrethana të paqarta, ndërsa policia ka publikuar dhe emrat e tyre, disa prej të cilëve mjaft të njohur për shkak të historive, për të cilat dhe janë dënuar. Sipas policisë, të arratisurit janë të dënuarit Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiaj, Eduard Lula dhe Artur Gora. Sipas të dhënave paraprake mësohet se pasditen e djeshme, të burgosurit, të gjithë të armatosur me nga një armë në dorë nën kërcënimin e armëve kanë qëlluar me armë për mosafrimin e rojeve, e më pas kanë çarmatosur dhe tulatur policët e burgut, çka u ka mundësuar atyre largimin dhe qarkullimin më të “lirë” pas kapërcimit të dyerve të qelive. Pesë minuta para arratisë në burg është dëgjuar shpërthim, një taktikë për të tërhequr vëmendjen e policëve.

Të dënuarit kanë organizuar me detaje arratisjen; pasi iu kanë marrë armët rojeve, kanë qëlluar në ajër dhe kanë mundur të dalin duke u larguar me dy automjete në drejtim të Pogradecit. Të arratisurit kanë kanosur me armë patrullën e policisë në Pogradec, si dhe kanë vazhduar arratisjen drejt qytetit të Librazhdit. Zyrtarët e policisë pohuan se të burgosurit mund të jenë ndihmuar edhe nga persona që prisnin jashtë burgut. Gjithashtu policia nuk përjashton mundësinë që armë mund të jenë futur edhe nga jashtë. Të burgosurit e tjerë janë alarmuar nga ngjarja, për shkak se të dënuarit në momentin e arratisjes kanë qëlluar me armë zjarri duke shkaktuar momente paniku dhe ankthi. Ndërkohë, forca të shumta të policisë kanë ngritur postblloqe dhe kanë nisur kontrollet për të kapur të arratisurit. Megjithatë, këta të fundit kanë kaluar me forcë postobllokun e ngritur nga policia e Pogradecit afër Qafë Thanës. Ndërkaq, forca të shumta policie, edhe ato të RENEA, janë vënë në ndjekje të të arratisurve, të cilët dyshohet se janë nisur drejt Tiranës, por dhe Maqedonisë dhe Greqisë. Policia ka marrë masa duke ngritur postblloqe në të gjithë akset rrugore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit si dhe me zonën kufitare. Në lëvizje mësohet se është vënë dhe policia e shteteve fqinje.

Tahiri mbledh Naçon, Llallën dhe Likën

Me të marrë informacion mbi arratisjen e 7 të të dënuarve, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka thirrur një mbledhje urgjente krerët e Policisë së Shtetit, kreun e të SHISH, Visho Ajazi Lkinë, kryeprokurorin Adriatik Lalla si dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. Takimi ka zgjatur për disa orë, ku mësohet se është dhënë urdhër që të shoqërohet i gjithë personeli i burgut të Drenovës, për t’u marrë në pyetje mbi arratisjen e 7 të dënuarve të rrezikshëm. Arratisja e djeshme është një nga arratisjet më të bujshme dhe me numrin më të lartë të personave të arratisur.

Kush janë të arratisurit

Admir Tafili, 38 vjeç, lindur e banues në Shkodër, është një prej të arratisurve, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vëllezërve Petrjushi dhe plagosjen e ish-shefit të Malësisë së Madhe, Pjetër Petrushi dhe dyshohet si autor i vrasjes së komisarit të policisë, Arben Zylyftari. Fran Marashi ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore. Ndërsa Artur Gora, 44 vjeç, po ashtu lindur e banues në Shkodër, është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri policie në Pojan të Korçës. Gëzim Guri, 36 vjeç, lindur e banues në Vaun e Dejës, Shkodër, është dënuar për grabitje me armë dhe vrasje në rrethana cilësuese. Gëzim Toma, 31 vjeç, lindur e Banues në Dibër mësohet se është i dënuar me burg përjetë. Reiz Haxhiraj, 42 vjeç, lindur e banues në Selenicë të Vlorës është dënuar p[ër rrëmbimin e një inspektori policie dhe plagosjen e vëllait të këtij të fundit. Eduard Lula, 31 vjeç, lindur e banues në Përmet, është një tjetër i dënuar që u arratis mbrëmjen e djeshme nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Para arratisjes, mësohet se të burgosurit kishin bërë një grevë për kushtet e tyre në burg, por kjo s'ishte përfillur.