Shtatë persona u arrestuan ditën e sotme në kryeqytet si pjesë e një organizate kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Mes meshkujve, pjesë e bandës ishte edhe një femër, roli i së cilës ishte shumë i rëndësishëm.
Bëhet fjalë për 46-vjeçaren Vjollca Gjoka, bashkëpunëtore e Gjergj Cukalit, i njohur ndryshe si “i forti i Myslym Shyrit”. Vjollca mbante shënimet për shitjen e drogës në një fletore dhe dokumentonte çdo ditë aktivitetin e kryer.
Fotografitë e publikuara nga tv Klan tregojnë fletoren që mbante 46-vjeçarja, ku shënoheshin se sa doza kokainë shiteshin gjatë një muaji.
Nga të dhënat mësohet se në muajin mars të këtij viti banda ka shitur 129 doza, në muajin prill 103 doza.
Vetëm në 10 ditët e para të muajit korrik ishin shitur 31 doza. Sipas policisë fitimet mujore të këtij grupi, nga shitja e drogës, ishin 50 mijë euro.





