15 qershor 2015 – Dy monumentet e “gladiatorëve”, vepër e skulptorit Janaq Paço janë instaluar më në fund pranë shëtitores “Taulantia”, përballë ish-godinës së muzeut arkeologjik të Durrësit.
Punimet kanë përfunduar sot paradite dhe vepra është ekspozuar tashmë për publikun për herë të parë, më shumë se 40 vjet pas krijimit.
Dy figurat monumentale u porositën në fillim të viteve 1970 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, i cili në atë periudhë drejtonte sistemin e muzeve të rrethit të Durrësit.
Taselat prej allçiu të veprës së Janaq Paços (1914-1991) kanë qëndruar deri në vitin 2005 në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Ato u derdhën në beton artistik në kryeqytet para disa vitesh dhe u rikthyen në Durrës dy vjet më parë.
Veprat janë vendosur në lulishten bregdetare, duke shfrytëzuar edhe minisheshet prej betoni, që u ndërtuan për projektin e Parkut Arkeologjik në vitet 1970.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/