· Tregu është shumë-shumë i përqendruar: 5 kompani, ndër të cilat dy çifte kompanish kanë të njëjtët aksionarë, pra praktikisht 3 kompani, zotërojnë mbi 70 për qind të tregut të tregtimit të naftës. 3 kompani zotërojnë thuajse të gjithë tregun e benzinës.
· Të gjitha këto kompani zëvendësojnë njëra tjetrën në operacione tregtare, blejnë e shesin nga njëra tjetra, përcaktojnë çmime duke ndryshuar nga njëra tjetra në shumë pak diferencë. Mbi të gjitha, përcaktojnë çmime të padrejta
NGA ERJON BRAÇE**
Duhet thënë e vërteta që në tre muajt e fundit, kohë kur çmimet e naftës nisën të bien rrufeshëm, kam dëgjuar shumë dhe nga gjithkush; i pranoj një pjesë të tyre. Pra, që çmimi i naftës në bursë nuk është çmimi i naftës në rafineri, që çmimi i naftës në bursë, çmimi i naftës në rafineri nuk është çmimi i naftës në portet shqiptare, që çmimi i naftës në bursë, çmimi i naftës në rafineri, çmimi i naftës në portet shqiptare nuk është çmimi i naftës në pompë.
Por edhe më shumë: që çmimi fundor i ka të tre elementet kyç, pra çmimin e produktit të importuar, taksën, kursin e këmbimit, por edhe shpenzime të tjera që vijnë si pasojë e kapaciteteve të pamjaftueshme pritëse të importeve, që taksat janë të larta dhe kjo ka qenë zgjedhja jonë për të dekurajuar konsumin e naftës.
Por në asnjë rast nuk kam dëgjuar të thuhet hapur: ka dhe një arsye të madhe që çmimet e naftës në pompë nuk kanë reflektuar plotësisht uljen e çmimeve të naftës: tregu nuk funksionon as i lirë e as konkurrues!
Ka të dhëna të besueshme që tregu është shumë-shumë i përqendruar: 5 kompani, ndër të cilat dy çifte kompanish kanë të njëjtët aksionarë, pra praktikisht 3 kompani, zotërojnë mbi 70 për qind të tregut të tregtimit të naftës. 3 kompani zotërojnë thuajse të gjithë tregun e benzinës.
Ka gjithashtu të dhëna të besueshme se të gjitha këto kompani zëvendësojnë njëra tjetrën në operacione tregtare, blejnë e shesin nga njëra tjetra, përcaktojnë çmime duke ndryshuar nga njëra tjetra në shumë pak diferencë. Mbi të gjitha, përcaktojnë çmime të padrejta, duke përfshirë edhe çmimet eksesive, të cilat janë dukshëm çmimet që vlerësohen, se nuk kanë një lidhje racionale me vlerën ekonomike të produktit!
Për të arritur deri këtu, kanë ndihmuar qartë: një ligj që u ka krijuar mundësinë kompanive të tregtimit me shumicë të karburanteve të kenë edhe kompanitë e tyre të tregtimit me pakicë; një Udhëzim për qëllime të administrimit fiskal, i cili i përcakton kompanitë e pakicës si agjente të kompanive me shumicë, u jep të drejtën kompanive të shumicës që të përcaktojnë çmimin e shitjes me pakicë të naftës e benzinës në pompë, madje i detyron kompanitë e pakicës të mos ndryshojnë këtë çmim, përndryshe, gjobiten rëndë.
Kështu konkurrenca, e pamundur për shkak të përqendrimit të lartë të tregut, nuk ekziston fare në pjesën e poshtme të tij, atje, te pompat e naftës e benzinës. Në të gjithë këtë treg të përqendruar ka edhe një problem të fundit: norma e fitimit është e lartë.
Dua ta them se udhëzimi në fuqi është i firmosur nga ish-Ministri i Financave në vitin 2008, është goditur nga autoriteti i konkurrencës në vitin 2009, por kurrkush nuk e ka ndryshuar! Ky është thjesht fakt, nuk mund të jetë shfajësim!
Thënë këtë, dua të shtoj: institucionet përgjegjëse të qeverisë nuk mund të bëjnë më mënjanë, duhet të zgjohen, të marrin përgjegjësi për të çliruar tregun, kthyer konkurrencën e rregullin në të; të marrin përgjegjësinë për të ndryshuar ligjet dhe udhëzimet për këtë treg në përmbushje të detyrimit të mësipërm; të rikthehen fortë me qëllim fiskalizimin e plotë të tregut të karburanteve; të rikthehen fortë në treg për të vendosur e kontrolluar plotësisht, më në fund, cilësinë dhe sasinë e karburantit të tregtuar në çdo pompë.
Pas kësaj, detyrimisht mbikëqyrim dhe analizojmë a është reflektuar plotësisht ulja e çmimit të karburanteve në këtë vend apo jo! Kush e merr të thjeshtë, gabon. Por kjo është jetike që ekonomia kombëtare të përfitojë nga ulja e çmimeve të karburanteve rritjen reale dhe ekonomitë familjare ta ndiejnë në buxhetet e tyre këtë.
* Titulli është i “Dyrrah”-ut. Shkrimi është marrë nga faqja në FB me titullin origjinal “Duhet thënë e vërteta”.
** Autori është kryetar i Komisioni të përhershëm për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues i PSSH-së.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”?





