Pas rreth 5 orësh debat, Kuvendi votoi dyfishimin e rrogave të deputetëve dhe rritjen me masën 80% të rrogave të ministrave, si pjesë e paketës për rritjen e pagave të të gjithë administratës shtetërore.

Projektligji i debatueshëm për shkak të rritjes së menjëhershme të rrogave që do të miratonin deputetët për veten e tyre, ishte planifikuar të votohej para zgjedhjeve, por u shty për shkak se në draftin fillestar të ardhur nga qeveria, ligjvënësit nuk përfitonin.

Nga tabulati i votimit të djeshëm rezulton se 24 deputetë të Partisë Demokratike, kanë bashkuar votën me Partinë Socialiste për rritjen e pagave të tyre.

Shumica e tyre janë pjesë e grupit “Alibeaj”, por pro kanë votuar edhe Agron Gjekmarkaj, Ervin Salianji e Xhelal Mziu të cilët më parë nuk janë pozicionuar në asnjë grupim.

Megjithëse ishin pjesë e seancës në fillim të saj, deputetët që mbështesin ish kryeministrin Berisha kanë munguar gjatë votimit dhe në tabulat rezultojnë si “jo të pranishëm”. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe deputetët e Partisë së Lirisë.

Tre deputetë, Dashnor Sula, Bujar Leskaj dhe Petrit Doda kanë votuar kundër, ndërsa Flutura Açka dhe Elda Hoti kanë qenë në sallë në momentin e votimit, por nuk kanë votuar.

Ashtu siç paralajmëroi, Edi Rama e kishte aktivizuar kartën e tij në pajisjen elektronike ku votohet, por nuk ishte në sallë në momentin e votimit.

Deputetët e opozitës PRO

  • Ferdinand Xhaferraj
  • Ramadan Likaj
  • Gazmend Bardhi
  • Bledion Nallbati
  • Agron Gjekmarkaj
  • Xhelal Mziu
  • Merita Bakiu
  • Emilja Koliqi
  • Mesila Doda
  • Sajmir Koreshi
  • Kreshnik Collaku
  • Ervin Salianji
  • Eralda Bano
  • Seladin Jakupllari
  • Shpëtim Idrizi
  • Andia Ulliri
  • Jorida Tabaku
  • Lefter Gështenja
  • Arbi Agalliu
  • Helidon Bushati
  • Zheni Gjergji
  • Erjola Pampuri
  • Orjela Nebiaj
  • Dhurata Tyli

Të pranishëm që nuk votuan

  • Flutura Açka
  • Elda Hoti

Votuan kundër

  • Dashnor Sula
  • Bujar Leskaj
  • Petrit Doda