*Ja formacioni i Shqipërisë, surprizon De Biasi, Cana në stol
LION- Kombëtarja Shqiptare do të luajë pas pak sfidën e tretë të Euro 2016-të, ndaj Rumanisë. Edhe pse shanset për tu kualifikuar më tej janë të vogla, përballja me skuadrën ballkanase për djemtë e De Biazit është kthyer më shumë në një çështje krenarie, për të shënuar të paktën një gol në këtë kampioniat, e pse jo edhe për të fituar.
Por kujt do t’i besojë De Biazi?
Formacioni i Shqiperisë: Berisha; Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli; Basha, Abrashi, Memushaj, Lila, Lenjani; Sadiku.
Formacioni i mundshëm i Rumanisë: Tatarushanu, Sapunaru, Grigore, Çiriçes, Rat, Hoban, Prepelita, Stankiu, Stancu, Torzhe, Andone.
KOMBËTARJA MBËRRIN NË STADIUM
Ora 20:00 – Futbollistët e Kombëtares mbërritën në “Stade de Lyon” rreth orës 19:48 minuta. Pas një nxehje të shkurtër në impiantin francez, kuqezinjtë pritet të zbresin në fushë për përballjen finale të këtij turneu. Ndërkohë numri i tifozëve kuqezinj në “Stade de Lyon” vijon të rritet.
FEDERATAT HAPIN THESIN
Federatat e dy vendeve kanë hapur thesin dhe duan të motivojnë në maksimum futbollistët e tyre për të hedhur hapin drejt historisë.
Federatat e të dyja skuadrave do të përfitojnë afro 10 milionë euro nga UEFA në rast se arrijnë të kualifikohen mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit. Këtë shumë kanë vendosur ta ndajnë edhe me futbollistët dhe stafin. Rumania ka premtuar 2,5 milionë euro premio në rast kualifikimi, ndërsa Shqipëria 2 milionë.
Premtimi i FSHF-së
Që në momentin kur Kombëtarja shqiptare fitoi të drejtën për të luajtur në kompeticionin prestigjioz në Francë, Komiteti Ekzekutiv hartoi një plan premiosh për ekipin. Aty u parashikua rrugëtimi i Shqipërisë deri në finalen e këtij kompeticioni dhe u vendosën shifra të ndryshme për çdo hap pozitiv që do të bënin kuqezinjtë e Xhani De Biazit.
Pak kohë përpara se të niseshin për në Francë, menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, e ka konfirmuar diçka të tillë dhe ka thënë se në rast kualifikimi Shqipëria do të ketë në dispozicion 2 milionë euro premio. Në dy ndeshjet e para kuqezinjtë nuk morën asnjë pikë dhe ishin të pafat, ndërsa një fitore me Rumaninë mund të rezultojë shumë e rëndësishme për fatin e kualifikimit.
Rumania
Për të motivuar skuadrën dhe stafin, edhe Rumania përdor të njëjtën gjë përpara ndeshjes me Shqipërinë. Mediat rumune bëjnë me dije se janë ofruar 2.5 milionë euro në rast se skuadra e tyre do të kualifikohet për në raundin tjetër të këtij kompeticioni.
Duket se betejën e parë e kanë fituar rumunët, sepse premioja e tyre është më e lartë se ajo e Shqipërisë, por fusha e lojës do të japë verdiktin final. Rumania vjen në këtë sfidë me 1 pikë, ndërsa Shqipëria nuk ka shënuar ende asnjë gol në Europian. Ndeshja mes Rumanisë dhe Shqipërisë do të luhet në stadiumin e Lionit, në orën 21:00.
Pas 2 ndeshjeve të para, Shqipëria ndodhet në vendin e fundit në grup me 0 pikë dhe ndaj Rumanisë do t’i duhet të fitojë me një diferencë të madhe golash për të pasur shpresë për kualifikim në raundin tjetër si një prej 4 ekipeve të treta më të mira në grupe.
ASGJË TJETËR VEÇ FITORES! JA UNIFORMA QË DO MBAJNË KUQEZINJTË
Sot është shansi i fundit! Kombëtarja shqiptare nuk kërkon gjë tjetër veç fitores, sonte në Lion. Në finalen e grupit A ndeshet Shqipëria dhe Rumania. Të dyja skuadrat përdorin tone luftarake dhe ëndërrojnë për fitoren. Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një video nga dhomat e zhveshjes së kombëtares, ku duket se kuqezinjtë do të mbajnë sot fanellën me ngjyrë të zezë.
Statistikat: Rumania është e pamposhtur në 13 sfidat kundër Shqipërisë (10 fitore dhe 3 barazime), fitorja e fundit e Shqipeve daton në maj të vitit 1948 (1-0 në Bukuresht). Shqipëria nuk ka shënuar më shumë se një gol në 16 sfidat e tyre kundër Rumanisë. Shqipëria dhe Rumania nuk janë përballur kurrë në fazën finale të Kampionatit Europian, këto dy kombëtare janë përballur plot 6 herë në fazën eliminatore, Rumania ka fituar 4 herë dhe dy ndeshje kanë përfunduar në barazim në vitin 2010-11.





