Pak ditë më parë kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare po shikon mundësinë për të ndërtuar një aeroport rajonal në qytetin e Vlorës, si një objektiv për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe nxitjen e mëtejshme të turizmit.
Ndërsa ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dha detaje se ku parashikohet të ndërtohet. Ai tha gjatë një takimi prezantues në Vlorë se aeroporti i dytë i Shqipërisë do të ndërtohet pikërisht në Novoselë.
“Vlora do të ketë një aeroport, do të jetë Novosela aeroporti i dytë i Shqipërisë. Vlora ka potenciale të jashtëzakonshme turistike, po i bëhet dhe Rruga e Lumit që i krijon edhe një damar tjetër komunikimi shumë të rëndësishëm që e lidh me bregun. E kthen në një zonë ku jo vetëm trafiku do të shkojë nga Vlora, por një pjesë do kalojë edhe nga kjo Rrugë e Lumit për të dalë më pas në pjesën e bregut. Kjo do të jetë një potencial tjetër për gjithë atë zonë e cila ka qenë realisht komplet e harruar dhe braktisur”, tha Gjiknuri duke komentuar investimet.





