Çështja e dhunës së ushtruar nga Anjeza Shabani, administratorja e kopshtit “Diren” në Tiranë ndaj një fëmije 3 vjeç, tronditi mbarë opinionin, por një nga pyetjet që më shumti është bërë nga publiku, është se si u arrit të vendosej kamera e fshehtë brenda ambienteve të kopshtit.
Referuar hetimeve të deritanishme, mësohet se para rreth 20 ditësh ka ndodhur edhe filmimi i momenteve të dhunës së administratores së kopshtit ndaj 3-vjeçarit. Regjistrimi i akteve të rënda është bërë nga kamerat e vendosura në çantën e vogëlushit të dhunuar nga ana e prindërve të tij.
Kamera e vendosur në çantën e tij ka regjistruar rastin kur vetë Shabani ushtron dhunë ndaj vogëlushit, duke e goditur me shpullë në kokë, duke e kapur për veshi dhe duke e terrorizuar.
Ajo e ka rrahur djalin 3-vjeçar edhe në kuzhinën e kopshtit, por çanta me kamerën ndodhej te dhoma e ndenjes së fëmijëve dhe ka regjistruar vetëm zërat e zhurmën, por jo pamjet filmike.
Rasti u denoncua nga emisioni “Stop”, pas kërkesës së babait të fëmijës i cili kishte dyshime të forta se djali i tij 3-vjeçar dhunohej në kopsht, pasi i shkonte në shtëpi me shenja në trup dhe zgjohej i traumatizuar natën.





