Punimet në kuadër të projektit “Veliera” ecin me ritme të shpejta e të pandalshme. Pas hapjes së një prej senseve të rrugëve të nënkalimit, firma ka ndërtuar edhe rrethrrotullimin aty ku më parë ka qenë parkim për makinat në fillim të sheshit “Taulantia”.
Krjimi i një sheshi të madh për qytetarët përkon edhe me hapjen e sistemimin e shëtitores, ku punimet kanë vijuar me shpejtësi në këtë mes qershori. Punimet kanë nisur me zgjerimin e rrugës “Taulantia”, me disa metra në krahun e lulishtes, ku edhe ka hapësirë të mjaftueshme. Zgjerimi i rrugës është shumë i rëndësishëm për lehtësimin e trafikut, pasi në këtë pikë, trafiku ka qenë problemi i të gjithë drejtuesve të mjeteve.
Sipas burimeve nga bashkia, pritet që të dy senset e nënkalimit të hapen pas 25 qershorit, dhe më pas të zhvillohen punimet mbitokësore.
Hapja e të dy senseve të rrugës, para kullave ku edhe është ndërtuar një rrethrrotullim, si dhe zgjerimi i një krahu të rrugës që vijon për tek Brryli, pritet të ketë impakt të drejtpërdrejtë në lirimin e trafikut në këtë zonë me ngarkesë të madhe në sezonin veror.
Sipas burimeve, pritet që javën e ardhshme punimet të mbarojnë në pjesën e poshtme të nënkalimit dhe në sistemin para tij te rrethrrotullimi i sapondërtuar.
“Veliera” është një prej investimeve madhore që po kryen bashkia e Durrësit, për të cilin ka pasur mjaft kontestime nga ana e qytetarëve.
Eshtë gjykata administrative ajo që pritet në ditët në vijim të japë edhe një vendim në lidhje me ndërtimin e “Velierës”, pjesës së sipërme të sheshit.
Punimet janë të bllokuara në pjesën mbi rrugë nga kompleksi “Fly” deri tek Torra Veneciane, ndërsa me ritme të shpejta vijojnë në pjesën tjetër.
K.H.





