Socialistët e Durrësit po presin që nga Asambleja Kombëtare e PS-së emrin e kandidatit që do të garojë për bashkinë. Para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e mbajtur më 23 mars, qe përfolur në media se kandidatët për të gjitha bashkitë në shkallë vendi do të prezantoheshin aty. Por procesi i përzgjedhjes kërkoi më shumë kohë dhe kryeministri Rama, njëherësh kryetar i PS-së zyrtarizoi vetëm kandidaturën e Erion Veliajt, që garon për një mandat të dytë dhe emrat e këshilltarëve bashkiakë të Tiranës.

Momenti i dytë kur socialistët durrsakë menduan se do të zbardhej emri i kandidatit ishte e premtja e 29 marsit, kur Rama vizitoi qytetin bregdetar në kuadër të turit “Bashkia që duam”. Atëherë kur shumë prisnin që kryeministri të kandidonte edhe njëherë Vangjush Dakon, që për hir të së vërtetës gëzon një mbështetje të gjerë në bazën socialiste, Rama foli gati një orë për opozitën, Lulin dhe fallxhoren, por as konfirmoi Dakon dhe as shpalli emrin e ndonjë kandidati tjetër.

Ndërsa sot data shënon 10 prill, afati 30 qershor, i dekretuar nga presidenti Ilir Meta për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, nuk duket i largët. PS shfaqet e vendosur për të mbajtur zgjedhjet lokale edhe pse opozita ka deklaruar qartazi se nuk do të marrë pjesë në këtë proces. Vendosmëria u vu në pah të hënën e kësaj jave, kur PS u regjistrua si subjekt politik në KQZ. Megjithëse afati ligjor për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje skadon më 21 prill, PS u regjistrua dy javë para datës përfundimtare.

Ndërsa më 1 maj skadon afati i regjistrimit të koalicioneve në zgjedhje. Por çfarë thotë KQZ për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë?

Sopas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, afati i fundit për regjistrimin e tyre është data 13 maj. Pra brenda një muaji, Rama duhet të zbardhë patjetër emrat e të gjithë kandidatëve për kryebashkiakë, si dhe të shpallë listat me emrat e kandidatëve për këshillat bashkiakë.

A do të presë kryeministri afatin e fundit ligjor, apo do t’i zbardhë këta emra më parë kjo ende nuk dihet me siguri. Ajo që dihet është se socialistët e Durrësit e presin tashmë kandidaturën nga Tirana, pasi përmes sondazheve ata e kanë shprehur vullnetin e tyre se kë duan të shohin sërish në krye të bashkisë së qytetit bregdetar. Nëse nuk do të zbardhet më parë, të paktën pas një muaji të gjithë do ta dinë emrin e kandidatit dhe këshilltarëve që do garojnë për këshillin bashkiak.

M.B.