Denis Shtraza është personi i ndaluar nga policia e Durrësit, si një nga autorët e dyshuar të rrëmbimit dhe më pas të vrasjes së Gazmend Çollakut.
Ndalimi i 33-vjeçarit nga Durrësi u krye mbrëmë rreth orës 21:00 në Rinas, duke tentuar të largohej nga Shqipëria.
Sipas policisë, Shtraza është njëri prej 4 “policëve” që rrëmbyen Çollakun mbrëmjen e 6 janarit, dhe është pjesëmarrës direkt në ekzekutimin e tij. Gazmend Çollaku u mor peng mbrëmjen e 6 janarit në lagjen nr.1 në Durrës, nga 4 persona, 3 prej të cilëve me jelekë dhe mbishkrimin "Policia", duke e futur në mjetin e tyre tip “Audi A6” me ngjyrë të zezë. Një ditë më pas, 34-vjeçari u gjet i vrarë me armë zjarri në fshatin Murqin të Krujës, i hedhur në rrugë dhe me gjymtyrë të lidhura.
Mësohet se i dyshuari është marrë në pyetje nga prokurori për ngjarjen, por nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të ngritura ndaj tij. Burimet policore sqarojnë se Shtraza do të pyetet sërish për të treguar rreth bashkëpunëtorëve që kanë marrë pjesë në krimin makabër, ndërkohë që hetimet intensive vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas të njëjtave burime, mësohet se urdhër-arresti nga ana e Prokurorisë është ndërmarrë pas përgjimeve që i janë bërë Shtrazës.
Denis Shtraza, i njohur dhe si miku i Emiljano Shullazit, është person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, si dhe person i skeduar në trafikun e lëndëve narkotike. Ndaj tij, policia ka dyshime të forta se është anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit për larje hesapesh për llogari të bandave të narkotrafikut.
Ngjarja e 4 shkurtit 2013
Tri vite më parë, Denis Shtraza mbeti i plagosur rëndë pas një atentati me armë që ndodhi në Durrës, ngjarje që në atë kohë u cilësua si hakmarrje për larje hesapesh.
Më 4 shkurt të vitit 2013, Denis Shtraza ka qenë i ulur në një lloto, në lagjen nr.1 të qytetit, së bashku me shokun e tij Ervis Tafaruçi, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar nga automjeti i tyre në drejtim të tij.
Shtraza u qëllua me 4 plumba në gjymtyrët e poshtme, ndërkohë që shoku i tij Tafaruçi i shpëtoi këtij atentati, për të mbetur viktimë e një atentati të dytë pas afro 4 muajsh. Pasditen e 27 majit 2013, Tafaruçi u ekzekuta me breshëri armësh në zonën e quajtur Mali i Robit, në aksin rrugor Durrës-Rrogozhinë, teksa po udhëtonte i vetëm me makinë.





